Interesimi i Bayern Munich për talentët e Kosovës, çka thotë kandidati për deputet i PDK-së, Isak Neziri

Kandidati për deputet nga PDK-ja, Isak Neziri është takuar sot në Gjermani me Felix Magath, këshilltarin e gjigandit gjerman të futbollit, Bayern Munich.

Këtë lajm e ka bërë të ditur Neziri përmes një postimi në platformat e tij në rrjete sociale.

Neziri ka shkruar se me Magath kanë bërë një bisedë të këndshme me plane konkrete për sportin e Kosovës.

Tutje, Neziri thotë se Magath, miku tij i vjetër, i gëzohet vazhdimisht sukseseve të Kosovës në futboll, e ka interesim të veçantë për talentët e rinj nga Kosova.

Së shpejti, këshilltari i Bayern Munich do të vizitojë edhe Kosovën për t’u takuar me udhëheqësit e futbollit.

“Bisedë e këndshme e shumë plane edhe për Kosovën me mikun tim të vjetër, Felix Magath, këshilltari i gjigandit gjerman të futbollit, Bayern Munich. Ai i gëzohet vazhdimisht sukseseve të Kosovës në futboll, dhe ka interes të veçantë për talentët e rinj nga Kosova. Me Magath u pajtuam që shumë shpejt të realizojmë një vizitë së bashku në Kosovë për të ndjekur disa ndeshje futbolli mes klubeve dhe takime me udhëheqësit e futbollit. Punë të mëdha na presin së shpejti”, ka shkruar Neziri.

Kandidati për deputet nga PDK-ja, Isak Neziri në vazhdimësi është duke mbajtur takime brenda dhe jashtë Kosovës, duke shërbyer si urë lidhëse për të sjellë edhe më tutje investime të reja në vend.